Mohamed Alabar, miliarderi nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe partneri i biznesit të Serbisë në projektin “Beogradi në ujë”, ka shitur së fundmi apartamentin e tij në këtë kompleks luksoz, raporton “Forbes Serbia”.
Bëhet fjalë për një penthouse të madh me sipërfaqe prej 344 metrash katrorë, në një nga ndërtesat e para të ndërtuara në këtë kompleks, BW Residences, tregojnë të dhënat e kadastrës së pronave të paluajtshme.
Në korrik, kur “Forbes Serbia” verifikoi nëse Alabar e kishte mbajtur premtimin e dhënë para një dekade për të blerë një apartament në “Beogradin në ujë”, në kadastër prona figuroi ende në emrin e tij. Ndërsa tani, në regjistrin kadastral është evidentuar një shënim që tregon se apartamenti është shitur.
Në kadastër është regjistruar paraprakisht shitja e pronës, me afat për finalizimin e procedurës deri më 14 dhjetor 2026. Kjo do të thotë se palët kanë arritur marrëveshje për shitjen, ndërsa blerësit i është lënë ky afat për të paguar shumën e dakorduar dhe për të përfunduar blerjen.
Eagle Hills konfirmon shitjen
Për të verifikuar nëse bëhet fjalë vërtet për shitjen e apartamentit të Alabarit, “Forbes Serbia” kërkoi një koment nga kompania e tij “Eagle Hills”, e cila së bashku me shtetin serb po zhvillon projektin “Beogradi në ujë”.
Nga kompania konfirmuan se Alabar e ka shitur apartamentin.
“Transaksioni ka të bëjë me çështje private pronësore të zotit Alabar, ndërsa të dhënat publike pasqyrojnë detajet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Gazetarët pyetën gjithashtu nëse shitja mund të ketë lidhje me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura së fundmi në Serbi, ku pësoi humbje pushteti i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila kishte hyrë në partneritet me Alabarin për zhvillimin e projektit.
Alabari ka vizituar disa herë Beogradin dhe së bashku me ish-presidentin Aleksandar Vuçiq dhe ministrin në largim të Financave, Siniša Mali, ka vizituar kompleksin dhe ka përcjellë nga afër ecurinë e ndërtimit.
Megjithatë, nga “Eagle Hills” theksuan se shitja duhet të shihet vetëm si një transaksion privat pronësor.
“Zoti Alabar ka një lidhje të thellë me Serbinë, të cilën e konsideron si shtëpinë e tij të dytë. Lidhjet e tij personale dhe të biznesit me Serbinë mbeten shumë të forta, ashtu si edhe përkushtimi i tij ndaj zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe suksesit të projektit ‘Beogradi në ujë’”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Sipas burimeve të “Forbes Serbia” të njohura me këtë transaksion, Alabari synon të mbajë vilën që e kishte blerë përmes një kompanie tjetër të tij në rrugën Užička, në lagjen elitare Dedinje të Beogradit.
Në këtë vilë ai qëndron gjatë vizitave në Beograd dhe synon të vazhdojë ta përdorë edhe në të ardhmen. Prona ka një sipërfaqe prej 435 metrash katrorë.
Sa mund të ketë kushtuar apartamenti?
Sipas informacioneve të siguruara nga “Forbes Serbia”, Alabari kishte vendosur ta shiste apartamentin në prill të këtij viti dhe prona ishte publikuar në njoftimet për shitje.
Megjithatë, gazetarët nuk kanë arritur të gjejnë një shpallje që përputhet saktësisht me apartamentin e tij.
Në internet është gjetur një penthouse me sipërfaqe të ngjashme, në një ndërtesë fqinje, i cili ishte ofruar për 2.8 milionë euro, ose rreth 8.160 euro për metër katror.
Një apartament tjetër me sipërfaqe të ngjashme, në të njëjtën ndërtesë ku ndodhet prona e Alabarit, gjithashtu ishte në shitje, por pa çmim të publikuar.
Ndërkohë, një apartament tjetër me të njëjtën sipërfaqe ishte ofruar me qira për 7.000 euro në muaj. Ai kishte gjashtë dhoma dhe katër banjo.
Bëhet fjalë për apartamente me sipërfaqe mbi 340 metra katrorë, ku rreth 130 metra katrorë i përkasin tarracës.