Me organizimin e konferencës shkencore ndërkombëtare „Nga rrëfimet kombëtare drejt
historive të ndërthurura“, Instituti i historisë pranë fakultetit Filozofik të Universitetit „Shën
Kirill dhe Metodij“ në Shkup shënon tetë dekada të ekzistencës së tij.
Në konferencë iu drejtua edhe ministrja e arsimit dhe shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, e
cila i përgëzoi udhëheqësit dhe të punësuarit, duke theksuar se në këtë institucion kanë kaluar
shumë gjenerata profesorësh, studiuesish dhe studentësh, të cilët kanë lënë gjurmë të
qëndrueshme në bashkësinë tonë akademike dhe shoqërore. Siç theksoi ajo, puna e tyre
përbën një kontribut në studimin, dokumentimin dhe afirmimin e trashëgimisë historike, por
edhe në përcjelljen e saj te gjeneratat e reja.
„Sot, në një kohë të qarkullimit të shpejtë të informacioneve, të interpretimeve të ndryshme të
ngjarjeve historike dhe të përpjekjeve gjithnjë e më të shpeshta për relativizimin e fakteve
historike, roli i historianëve është veçanërisht i rëndësishëm. Përgjegjësia e komunitetit
shkencor është që, përmes hulumtimeve të argumentuara, objektivitetit shkencor dhe qasjes
kritike, të përcaktojë dhe afirmojë të vërtetat historike. Vetëm në këtë mënyrë mund të
ndërtojmë një shoqëri që e njeh historinë e vet, i respekton faktet dhe di të mësojë nga e
kaluara“, tha Janevska.
Shprehu bindjen se Ministria e arsimit dhe shkencës mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të
arsimit të lartë dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore, krijimit të kushteve më të mira për
punën e komunitetit akademik dhe nxitjes së studiuesve të rinj.
„Instituti i historisë do ta ketë gjithmonë mbështetjen tonë dhe besoj se në dekadat e
ardhshme do të vazhdojë të jetë një qendër e rëndësishme e dijes, mendimit shkencor dhe
formimit të kuadrove cilësore, me hulumtime dhe arritje të reja që do ta pasurojnë
historiografinë maqedonase dhe do ta afirmojnë atë në nivel ndërkombëtar“, shtoi ministrja.


