Misioni i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka mohuar kategorikisht raportimet për një plan të mundshëm të Teheranit për të sulmuar Uashingtonin me një “bombë të ndyrë” radiologjike, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të krijojnë justifikime për ndërmarrjen e operacioneve të reja ushtarake kundër vendit.

Në një reagim të publikuar në platformën X, përfaqësia iraniane i cilësoi këto informacione si pjesë të një “fushate të planifikuar dezinformimi”, e cila, sipas saj, synon të legjitimojë veprime të tjera agresive dhe krime lufte.

“Asnjë propagandë apo dezinformim nuk mund të mbulojë një akt agresioni, të legjitimojë krimet e luftës ose të lirojë nga përgjegjësitë ata që kanë kryer krime të tilla të tmerrshme”, thuhet në deklaratën e misionit iranian.

Teherani paralajmëroi gjithashtu se do të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, në rast të çdo veprimi agresiv.

Reagimi vjen pas një raportimi të CNN, i cili, duke iu referuar shtatë zyrtarëve amerikanë, bëri të ditur se agjencitë e inteligjencës në SHBA po shqyrtojnë të dhëna për një komplot të mundshëm iranian që mund të kishte në shënjestër zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump.

Sipas këtij raportimi, dyshohet se në një sulm të tillë mund të përdorej një “bombë e ndyrë” radiologjike ose një armë kimike. Megjithatë, informacioni nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume