KOMENT Nga Muhamed Zekiri – TetovaSot

Nga Brukseli, kryeministri Hristijan Mickoski e tha edhe një herë, më qartë se kurrë: për çështjen e bullgarëve në Kushtetut nuk ka pasur ndryshim dhe nuk do të ketë, për sa kohë që ai është kryeministër. Madje shtoi një kusht të ri: së pari plani i veprimit për pakicat. Sipas tij, edhe sikur ndryshimet kushtetuese të bëheshin, “që nuk do të ndodhë”, plani mbetet sërish i pazgjidhur.

Ky nuk është qëndrim i ri. Në janar, në Kuvend, Mickoski vendosi dy kushte: të drejta të garantuara për maqedonasit në Bullgari dhe garanci se gjuha e identiteti maqedonas nuk do të jenë më objekt vetosh. Në korrik tha se ndryshimet “nuk do të ndodhin në formën që kërkohen”. Në shtator, në Uashington, pyeti kush garanton se ky do të jetë kushti i fundit. Mickoski, të paktën, është konsekuent.
Pyetja e vërtetë, pra, nuk është çfarë mendon Mickoski. Pyetja është: si ndihet VLEN-i?

Kur VLEN-i po hynte në qeveri, mesazhi ishte i prerë: ndryshimet kushtetuese do të zgjidhen brenda gjashtë muajve. Ky afat u paraqit si kusht për pjesëmarrjen në qeveri.

Zoti Kasami kanë kaluar më shumë se dy vjet. Afati gjashtëmujor u shty, e pastaj u zëvendësua me formulën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi: “Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin kur t’i kemi 80 deputetët.” VLEN-i thotë se pa 80 vota nuk ka ndryshime. VMRO-DPMNE thotë se pa garanci nuk ka vota. Rrethi është i mbyllur, dhe VLEN-i është brenda tij.

Pas deklaratave të fundit të kryeministrit Mickovski, liderët e VLEN-it nuk shprehën kundërshtim publik. As zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, nuk reagoi. Heshtja në politikë rrallë është strategji. Shpesh është vetë përgjigjja.

Si ndihet, pra, VLEN-i? Ndoshta rehat në karrige, por ngushtë para votuesve të vet. Integrimi evropian ishte argumenti kryesor i fushatës së vitit 2024. Sot ai argument mban emrin e partnerit që e ka refuzuar publikisht.

BDI-ja nuk e kursen VLEN-in. Sipas saj, ata premtuan ndryshimet për tre muaj, pastaj për gjashtë, dhe pas më shumë se 24 muajsh nuk ka asgjë. LSDM-ja e Venko Filipçes insiston që ndryshimet të miratohen sa më shpejt.
Kritika e opozitës ka bazë. Por kujtesa e saj është selektive. Ishte qeveria LSDM–BDI ajo që pranoi Propozimin Francez në vitin 2022 dhe nuk arriti t’i siguronte 80 votat. Opozita ka të drejtë të kërkojë llogari. Nuk ka të drejtë ta harrojë pjesën e vet të faturës.

Ndërsa partitë numërojnë vota, qytetarët numërojnë largimet. Rreth 600 mijë shtetas jetojnë jashtë vendit. Në dy dekada vendi ka humbur afërsisht 10% të popullsisë. Një në tre qytetarë mendon të largohet, ndërsa mbi 46% e të rinjve nuk besojnë më se vendi do të bëhet anëtar i BE-së. Shkollat në mbarë vendin janë gjysëm të zbrazura, nxënës gjithënjë e më pak, lagje të zbrazura, familje të ndara.
Presidentja thotë se 80% e qytetarëve i kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese. Ky është realiteti politik, dhe askush nuk duhet ta injorojë. Por problemi nuk është vetëm Kushtetuta. Problemi është se askush nuk po u thotë qytetarëve të vërtetën e plotë: sa kushton bllokada, kush e paguan dhe sa kohë mund të zgjasë.
I riu nga Shkupi, Tetova, Prilepi, Kumanova e gjithë qytet tjera të vendit nuk pret preambulën e Kushtetutës. Pret një punë të mirë, një spital që funksionon dhe një arsye për të qëndruar. Kur ato nuk vijnë, ai nuk proteston. Thjesht blen biletën.

Mickoski e ka thënë JO-në e tij. BDI-ja dhe LSDM-po thonë “ju thamë”. VLEN-i ende nuk ka thënë asgjë.
Por heshtja ka një çmim. Dhe atë po e paguajnë ata që nuk janë më këtu për ta lexuar ose ndëgjuar këtë kolumnë.
Dhe krejt ne fund mos të harroj ta përmendi edhe më të rëndësishmen e javës që po lëm pas. Studentin e vitit Edon Rexhepin i cili përfundoi studimet me notën mesatare 10.00 ne fakultetin e ekonomisë në Universitetin e Shkupit. Vallë a mos ju kujtua dikujt nga qeveria ta kontaktoj dhe ti ofroj të kyçet në ndonjë nga instutucionet përkatëse dhe të shfrytëzohen kapacitete e tij, apo edhe Edonin do ta lëm të ik nga ky vend?!…

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume