Bora ende nuk ka mbuluar Kodrën e Diellit, por ski-qendra po bëhet gati për sezonin e ri dimëror. Kontrollet teknike, ndërhyrjet në pistat e skijimit dhe përmirësimi i infrastrukturës janë drejt përfundimit. Ndërkohë, për vizitorët këtë sezon parashikohen edhe një pistë e re skijimi gjatë natës dhe një ashensor i ri për fëmijë, ndërsa mungesa e parkingjeve vazhdon të mbetet problem.
“Siç e dini, jemi në përfundim të përgatitjeve për sezonin e skijimit. Kemi bërë edhe incizimin e linjave nga Fakulteti i Makinerisë, si dhe intervenime në disa linja. Konkretisht, në ‘GE’ kemi bërë edhe ndërrimin e linjës me të re. Sa i përket kontrollit nga fakulteti, gjithçka është në rregull dhe presim të marrim lejen e punës”, tha Drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji.
Përveç ndërhyrjeve në pistat ekzistuese, këtë sezon skijatorët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe pistën “GE” gjatë natës, e cila do të pajiset me ndriçim. Për më të vegjlit, në ski-qendër pritet të instalohet një ashensor i ri, rreth 100 metra i gjatë, i cili aktualisht është në prodhim dhe pritet të arrijë në Kodrën e Diellit deri në fund të muajit.
“Kemi pasur disa probleme me rrjetin e ujërave nën ulësen e gjashtë, por kemi bërë projektin dhe gjithçka është rregulluar. Gjithashtu, kemi bërë ndryshimin e linjës optike në Kodrën e Diellit, si dhe ndërrimin e hyrje-daljeve për skijatorët, të cilat ishin më të vjetra se dhjetë vjet. Kemi bërë përgatitjet edhe për ‘Land Lift’-in për fëmijë, prej 100 metrash. E presim gjatë këtij muaji, pasi është në prodhim dhe në fund të muajit arrin në ski-qendër”, u shpreh Aliji.
Por, edhe këtë dimër, një nga shqetësimet kryesore për vizitorët pritet të jetë parkimi. Në ditët e fundjavës, fluksi i madh i automjeteve vështirëson qarkullimin dhe gjetjen e vendeve të lira. Qarkorja që po ndërtohet pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të krijojë hapësira shtesë për parkingje, por mbetet të shihet nëse do të jetë funksionale gjatë sezonit dimëror.