Komisioni Evropian ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Turqisë, duke ngritur shqetësime për zhvillimet në Egje, Mesdheun Lindor dhe çështjen e Qipros. Në raportin e fundit për procesin e anëtarësimit të Ankarasë në BE, theksohet nevoja për respektimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane të vendeve anëtare, si dhe shmangien e veprimeve që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në fokus janë tre çështje kryesore pengesat ndaj projektit të ndërlidhjes elektrike mes Greqisë dhe Qipros, memorandumi turko-libian i vitit 2019 dhe kërcënimi i shpallur nga Turqia për zgjerimin e ujërave territoriale greke në 12 milje detare, i njohur si “casus belli”. Komisioni kundërshton gjithashtu pretendimet turke në Egje, fluturimet mbi ishujt grekë dhe qëndrimin e Ankarasë për çështjen e Qipros.

Megjithëse marrëdhëniet mes Athinës dhe Ankarasë kanë shënuar përmirësim që nga viti 2023, mosmarrëveshjet kryesore vijojnë të mbeten të pazgjidhura. Komisioni Evropian i kërkon Turqisë të angazhohet për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke i bërë thirrje që, nëse është e nevojshme, çështjet e mbetura të dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume