Policia e trafikut në Maqedoninë e Veriut, si anëtare e Rrjetit Evropian të Policive të Trafikut (ROADPOL), po zhvillon kontrolle të intensifikuara ndaj autobusëve dhe automjeteve të rënda në kuadër të aksionit ndërkombëtar “Truck & Bus”, i cili realizohet nga 16 deri më 22 nëntor 2026 informon Tetovasot.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, qëllimi i aksionit është parandalimi i aksidenteve në komunikacion, zbulimi dhe sanksionimi i shkeljeve, si dhe rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Gjatë kontrolleve, vëmendje e veçantë po i kushtohet gjendjes teknike dhe pajisjeve të sigurisë së autobusëve dhe kamionëve, përmbushjes së kushteve ligjore për transportin e organizuar të fëmijëve, si dhe respektimit të rregullave gjatë udhëtimeve shkollore, edukative dhe rekreative.

Njëkohësisht, policia kontrollon edhe gjendjen psikofizike të drejtuesve të mjeteve, aftësinë e tyre për drejtim të sigurt, si dhe respektimin e detyrimeve të tjera ligjore në transportin rrugor.

Paralelisht me këtë aksion, zyrtarët policorë po zhvillojnë kontrolle të shtuara edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, me fokus te tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikotrope, mosvendosja e rripit të sigurimit, transporti i parregullt i udhëtarëve dhe shkelje të tjera që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë rrugore.

MPB u bën thirrje të gjithë shoferëve, transportuesve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë përgjegjësi maksimale gjatë qarkullimit në rrugë.

Sipas ministrisë, siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa respektimi i rregullave, gjendja teknike e automjeteve dhe sjellja e përgjegjshme janë faktorët kyç për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

MPB thekson se kontrollet parandaluese dhe aksionet e përbashkëta me partnerët evropianë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme me synimin për rritjen e kulturës së komunikacionit dhe krijimin e rrugëve më të sigurta për të gjithë.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume