Kovaçevski ndaj Janevskës: Po mbyllen shkolla dhe po bashkohen paralelet, a do të marrin fëmijët arsim më cilësor?
Deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i parashtroi pyetje deputetesh ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, lidhur me efektet e optimizimit të rrjetit shkollor, mbylljen dhe bashkimin e paraleleve, si dhe rishpërndarjen e kuadrit arsimor.
Kovaçevski theksoi se ndryshimet demografike dhe ulja e numrit të nxënësve kërkojnë planifikim afatgjatë, por kërkoi përgjigje nëse riorganizimi i zbatuar vërtet siguron kushte më të mira për arsim apo kryesisht nënkupton ulje të shpenzimeve.
Ai kërkoi të dhëna konkrete për numrin e nxënësve që janë transferuar në shkolla të tjera, distancat që duhet të përshkojnë, sigurimin e transportit falas dhe të sigurt, kushtet në shkolla dhe statusin e mësimdhënësve që përfshihen në rishpërndarje.
Njëkohësisht, kërkoi përgjigje nëse ekziston plan për mbajtjen e kuadrit të përvojshëm arsimor në sistemin e arsimit dhe nëse efektet e reformës do të maten përmes cilësisë së arsimit dhe rezultateve të nxënësve.
“Optimizimin e rrjetit shkollor e paralajmëroni si një nga reformat kyçe në arsim, me arsyetimin se ndryshimet demografike, ulja e numrit të nxënësve dhe shfrytëzimi joracional i resurseve kërkojnë organizim ndryshe të shkollave dhe procesit mësimor.
Askush nuk mund ta kontestojë problemin demografik me të cilin përballet shteti.
Por, po ashtu, nuk mund të pranohet se çdo zvogëlim i numrit të shkollave ose paraleleve automatikisht nënkupton përmirësim të cilësisë së arsimit. Përkundrazi, pyetja e vërtetë është nëse me këtë riorganizim fëmijët marrin kushte më të mira për arsim apo vetëm po zvogëlohen shpenzimet e sistemit arsimor. Nga ju pres shifra konkrete, të dhëna dhe rezultate për realizimin e deritanishëm, e jo përsëritje të qëllimeve dhe përfitimeve të pritshme nga reformat.
Sepse në fund, pyetja thelbësore është e thjeshtë:
A u siguron vërtet optimizimi fëmijëve arsim më cilësor, që do të rezultojë me rezultate më të mira në PISA dhe në testimet e tjera relevante ndërkombëtare për krahasimin e njohurive të fëmijëve sipas sistemeve arsimore, apo vetëm krijon një sistem arsimor më të lirë?” tha Kovaçevski.