Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e sotme të 130-të, do të vazhdojë me parashtrimin e pyetjeve nga deputetët e opozitës, të cilat u ndërprenë më 12 nëntor, pas pauzave të kërkuara nga deputetët opozitarë.
MARKETING
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri të ditur se pas interpretimeve të ndryshme të Rregullores së Punës, shumica parlamentare dhe opozita kanë arritur marrëveshje që, në të ardhmen, pauzat të mos përfshihen në dy orët e parapara për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se duhet të tregohet kujdes që pauzat të mos ndikojnë në zvarritjen e procesit të parashtrimit të pyetjeve.
Përveç pyetjeve të deputetëve, në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje janë përfshirë edhe disa projektligje dhe propozim-vendime.
Ndër çështjet që do të shqyrtohen janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Privatizimin dhe Qiranë e Tokës Ndërtimore, projektligjet që lidhen me ndërtimin, si dhe ato për peshkimin dhe akuakulturën.
Deputetët do të diskutojnë gjithashtu edhe për propozimet për zgjedhjen e anëtarëve në trupa të ndryshëm parlamentarë dhe delegacione të Kuvendit, si dhe për Rezolutën për Politikën e Migracionit për periudhën 2026–2030