Irani pretendon se ka goditur një radar amerikan në Bahrein, ndërsa Donald Trump kërcënon me shkatërrimin e infrastrukturës energjetike dhe ushtarake iraniane. Teherani paralajmëron se çdo sulm i ri do të marrë përgjigje dhjetë herë më të fortë. Ndërkohë, sulmet dhe kërcënimet shtrihen në Arabinë Saudite, Gaza dhe Liban.
Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbetet në qendër të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Teherani pretendon se ka goditur një radar amerikan të paralajmërimit të hershëm në Bahrein, në shenjë hakmarrjeje për sulmin ndaj një kulle telekomunikacioni në qytetin iranian Sirik.
Pretendimi është bërë nga Garda Revolucionare iraniane, ndërsa deri tani Uashingtoni dhe autoritetet e Bahreinit nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar.
Bahreini është një pikë strategjike për praninë ushtarake amerikane në Gjirin Persik, pasi aty ndodhet edhe selia e Flotës së Pestë të Marinës amerikane.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump pretendon se vendet e Gjirit, mes tyre Arabia Saudite dhe Katari, i kanë kërkuar të mos ndërmarrë sulme të tjera në shkallë të gjerë kundër Iranit. Megjithatë, ai kërcënon se mund të shkatërrojë brenda tre ditësh infrastrukturën energjetike, urat dhe objektet prodhuese të vendit.
Trump deklaron gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë më nevojë për një marrëveshje me Teheranin, pasi, sipas tij, kanë marrë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë sipas raportimeve shtetet e Bashkuara të Amerikës po shtojnë ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, mes sinjaleve për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit me Iranin. Sipas raportimeve të AlJazeera, Uashingtoni po zhvendos forca dhe pajisje ushtarake në rajon, ndërsa aleatët janë paralajmëruar të rrisin nivelin e gatishmërisë.
Sipas informacioneve të publikuara, SHBA-të kanë dislokuar rreth 200 avionë furnizimi me karburant dhe po përgatiten të dërgojnë një aeroplanmbajtëse të tretë në Lindjen e Mesme. Dy aeroplanmbajtëse amerikane raportohet se ndodhen tashmë në rajon.
Ndërkohë, Irani paralajmëron se çdo sulm i ri amerikan do të marrë një kundërpërgjigje dhjetë herë më të fortë. Në një tjetër front, rebelët Huthi pretendojnë se kanë goditur objektiva energjetike dhe ushtarake në Arabinë Saudite, përfshirë infrastrukturën e kompanisë Aramco. Koalicioni i udhëhequr nga Riadi njofton se ka interceptuar dronë që drejtoheshin drejt territorit saudit.