Më shumë se 30 anëtarë të Organizatës Komunale të LSDM-së në Gjorçe Petrov e kanë braktisur partinë dhe i janë bashkuar Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë Tonë, njoftuan nga ZNAM.
Anëtarët e rinj i kanë mirëpritur sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes ZNAM, Goran Minçev, dhe kryetari i organizatës komunale në Gjorçe Petrov, Slavoljub Totiq.
“Ky hap është një tjetër dëshmi se gjithnjë e më shumë qytetarë e njohin politikën e ZNAM-it si autentike, parimore dhe të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve. Gjendja në të cilën ndodhet LSDM-ja, mungesa e një vizioni të qartë politik dhe humbja e besimit te qytetarët janë disa nga arsyet për të cilat anëtarësia po e braktis partinë”, deklaruan nga ZNAM.
Nga kjo parti thonë se vazhdojnë t’i mbajnë dyert e hapura për anëtarë të rinj, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë për një politikë ndryshe, të përgjegjshme dhe dinjitoze.