Mexhiti: Ditët e krijimtarisë artistike në kuadër të kolonisë “Shkupi në Telajo” u përmbyllën me ekspozitën në Çifte Hamam
Në Çifte Hamam, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, sot u hap ekspozita e kolonisë së piktorëve “Shkupi në Telajo”, e organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, me mbështetjen e Komunës së Çairit. Pas pesë ditësh krijimtarie artistike, në ekspozitë u prezantuan veprat e 50 artistëve, të cilët përmes teknikave dhe këndvështrimeve të ndryshme artistike pasqyruan arkitekturën, kalldrëmet, dyqanet e zejtarëve dhe trashëgiminë kulturore të Shkupit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se mbështetja e aktiviteteve të tilla është pjesë e vizionit për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër, duke synuar që ajo, krahas funksionit turistik dhe tregtar, të jetë edhe një hapësirë e zhvillimit të jetës artistike dhe kulturore gjatë gjithë vitit.
“Revitalizimi i Çarshisë së Vjetër është ndër prioritetet tona. Krahas restaurimit të objekteve, përmirësimit të infrastrukturës dhe zhvillimit të zejtarisë, po synojmë pra të krijojmë më shumë hapësirë për artin dhe artistët”, theksoi kryetari Mexhiti.
Duke falënderuar Institutin e Librit dhe të Promocionit për organizimin, si dhe të gjithë piktorët pjesëmarrës për kontributin e tyre artistik në promovimin e trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore të Çarshisë, Mexhiti konfirmoi se Komuna e Çairit do të vazhdojë të mbështesë nisma të tilla, duke krijuar më shumë mundësi për promovimin e artit dhe ekspozimin e veprave të artistëve.