Mexhiti merr pjesë në promovimin e librit për ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992: Historia duhet të ruhet për brezat e ardhshëm
Bashkëkryetari i Vlenit dhe kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë sonte në Teatrin Shqiptar në Shkup në promovimin e librit “E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)”, të autorit dhe historianit Qerim Lita.
Me këtë rast, Mexhiti theksoi rëndësinë e dokumentimit të historisë përmes dëshmive dhe dokumenteve të kohës, në mënyrë që brezat e ardhshëm të kenë mundësi të njihen me ngjarjet që kanë lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve.
“Historia duhet të shkruhet që të mos harrohet. Brezat që vijnë pas nesh duhet të kenë mundësi ta njohin atë përmes dokumenteve dhe dëshmive të kohës”, u shpreh Mexhiti.
Ai falënderoi historianin Qerim Lita për punën e bërë, duke vlerësuar se libri u ofron mundësi edhe atyre që nuk i kanë përjetuar ngjarjet e vitit 1992, të lexojnë për atë që ndodhi në Bit Pazar dhe të kuptojnë rëndësinë që 6 nëntori vazhdon të ketë në kujtesën historike të shqiptarëve të Shkupit.
Promovimi i këtij libri rikthen në vëmendje ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992 dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike përmes hulumtimeve dhe dokumentimit.