Mexhiti në Çarshinë Historike të Bursës: Shkëmbimi i përvojave me esnafët, në funksion të revitalizimit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, vizitoi Çarshinë Historike të Bursës, ku u prit nga përfaqësuesit e Bashkimit të Çarshisë Historike dhe Haneve të Bursës, të kryesuar nga İsa Altıkardeş. Ky organizim përfaqëson rreth 4.000 dyqane dhe biznese, duke përbërë një model të rëndësishëm të organizimit të zejtarëve dhe tregtarëve.
Gjatë takimit u diskutuan praktikat e Bursës në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, organizimin e esnafeve dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik brenda zonave historike. Mexhiti theksoi rëndësinë e kësaj përvoje për procesin e revitalizimit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, me synimin që zhvillimi ekonomik të harmonizohet me ruajtjen e identitetit historik dhe kulturor.
Njëkohësisht, u shpreh gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve binjake edhe në nivel të esnafeve, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të suksesshme. Ky bashkëpunim synon forcimin e veprimtarisë zejtare dhe tregtare, si dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.