Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, gjatë të cilit u diskutua për progresin e reformave në drejtësi dhe prioritetet e mëtejshme në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Gjatë takimit, ambasadori Rokas i prezantoi ministrit Shasivari Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, me theks të veçantë në vlerësimet dhe rekomandimet që lidhen me kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë.
Në takim u përshëndet progresi i deritanishëm në zbatimin e reformave në gjyqësi, si dhe përmirësimi i vlerësimeve në raportin aktual krahasuar me vitin e kaluar. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e ruajtjes së dinamikës reformuese dhe vazhdimit të angazhimit institucional për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe obligimeve që burojnë nga Agjenda Reformuese.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, duke theksuar se vlerësimet pozitive janë konfirmim i punës së deritanishme, por edhe përgjegjësi shtesë për vazhdimin e reformave që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.
Në përfundim, u riafirmua përkushtimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, me synim që progresi i evidentuar të shndërrohet në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për qytetarët.


