Tetovasot

Forumi Arsimor Rinor (MOF) ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit Studentor Universitar të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UShS-UKIM), duke ngritur shqetësime për legjitimitetin demokratik të këtij procesi.

Sipas MOF-it, problemi nuk lidhet vetëm me emrin e kandidatit të zgjedhur apo rezultatin e votimit, por me mënyrën se si ndërtohet përfaqësimi studentor dhe nga buron legjitimiteti i tij.

“Demokracia studentore nuk mund të fillojë nga maja”, thekson MOF në reagimin e tij, duke vlerësuar se për të tretin vit radhazi kryetari i UShS-UKIM është zgjedhur para se të përfundojnë zgjedhjet për kuvendet studentore të fakulteteve.

Nga 46 vende të parashikuara për delegatë, në procesin zgjedhor këtë vit kanë marrë pjesë 26 delegatë, ndërsa kryetari i ri është zgjedhur me 21 vota. Sipas MOF-it, kjo hap pyetje serioze për legjitimitetin demokratik të procesit.

“Kuorumi nuk është i njëjtë me legjitimitetin. Mundësia formale për të mbajtur një seancë nuk duhet të zëvendësojë të drejtën thelbësore të studentëve për t’u përfaqësuar nga përfaqësues të zgjedhur në mënyrë demokratike”, thuhet në reagim.

MOF vlerëson se legjitimiteti i UShS-UKIM duhet të vijë nga kuvendet studentore të fakulteteve dhe jo të krijohet para se studentët të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Sipas organizatës, disa mandate të njëpasnjëshme të drejtuesve të UShS-UKIM nuk kanë arritur ta adresojnë këtë problem në mënyrë sistematike, duke lejuar praktika që, sipas tyre, dëmtojnë besimin në organizimin studentor.

Tetovasot raporton se MOF ka paralajmëruar nisjen e një dialogu më të gjerë shoqëror dhe institucional për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe harmonizimin e rregullave për organizimin studentor.

Në këtë proces, MOF do të kërkojë përfshirjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, deputetëve, rektorëve, kuvendeve studentore universitare dhe fakultetore, si dhe organizatave të shoqërisë civile.

Qëllimi, sipas tyre, është vendosja e rregullave të qarta për renditjen kohore të zgjedhjeve, kohëzgjatjen e mandateve, shumicën e nevojshme dhe transparencën e procedurave zgjedhore.

“Ky nuk është një qëndrim pro apo kundër një përfaqësuesi të zgjedhur studentor. Është çështje parimesh. Rregullat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë dhe interesat e studentëve duhet të jenë mbi interesat për marrjen apo ruajtjen e një funksioni”, thekson MOF.

Sipas reagimit, universiteti duhet të jetë vendi ku demokracia mësohet dhe praktikohet, ndërsa përfaqësimi autentik studentor duhet të jetë themeli i autonomisë së studentëve.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume