Një mërgimtar ka udhëtuar nga Hamburgu i Gjermanisë drejt fshatit Radiovcë për të marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës.

Në garën e sotme për drejtimin e komunës përballen dy kandidatë: Stojanço Radiçevski nga VMRO-DPMNE dhe Arkin Jahiji nga koalicioni AKI.

Mërgimtari, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Gjermania për të votuar, tha për portalin TetovSot se edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë janë kthyer për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

“Kemi ardhur ta kryejmë obligimin tonë moral për Bërvenicën. Kemi ardhur nga Hamburgu për të votuar sot. Si unë, kanë ardhur një numër i madh i mërgimtarëve. Duket një atmosferë e mirë dhe e qetë. Apeli im është të jemi sa më unikë dhe dinjitozë dhe të arrijmë qëllimin tonë”, u shpreh ai për TS.