Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Muhamed Murtezi, ka reaguar pas raportimeve mediatike që e ndërlidhnin me Forumin Rinor Islam, organizatë e cila u përfshi në një listë të publikuar nga shteti i Egjiptit.

Murtezi i ka cilësuar raportimet si shpifje, duke mohuar kategorikisht se ka qenë ndonjëherë kryetar i Forumit Rinor Islam.

“E vërteta është se unë nuk jam drejtues, as kryetar i Forumit Rinor Islam. Madje, e them me përgjegjësi të plotë morale se nuk kam qenë asnjëherë kryetar i këtij forumi”, deklaroi Murtezi për Zyrtare.net

Ai sqaroi se ka drejtuar organizata të tjera joqeveritare në Maqedoninë e Veriut, por jo Forumin Rinor Islam. Sa i përket listës së publikuar nga Egjipti, Murtezi tha se nuk ka parë që në të figurojë ky forum, por një organizatë tjetër nga Maqedonia e Veriut, emri i së cilës është i ngjashëm dhe që, sipas tij, duhet të verifikohet nëse ka lidhje me të.

Murtezi akuzoi Top Channel-in se raportimin e ka orientuar me qëllime politike, duke e lidhur çështjen me pozitën e tij si përfaqësues i VLEN-it dhe kryetar i Këshillit Komunal të Çairit, si dhe me qëndrimet e tij në mbështetje të protestave studentore në Shqipëri.

“Top Channel për këtë transmetim mban përgjegjësi dhe unë tashmë kam filluar procedurat për t’i paditur për shpifje, sepse nuk qëndron konstatimi i tyre”, u shpreh Murtezi.

Ai shtoi se i vjen keq që, sipas tij, raportimi është përdorur për t’u dhënë qëndrimeve të tij politike një konotacion që nuk e kanë./ ZYRTARE.net