Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara (OKB) tha të hënën se afro 4 milionë sirianë janë kthyer në vendin e tyre që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit, por paralajmëroi se nevojat humanitare mbeten të mëdha dhe se pasiguria politike, aktivitetet ushtarake izraelite dhe mungesa e financimit kërcënojnë tranzicionin e brishtë të vendit, transmeton Anadolu.

Duke informuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së në emër të shefit të ndihmave humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Çështjet Humanitare, Mohamed Yahya, tha se ka “shenja të pamohueshme përparimi”.

“Që nga dhjetori i vitit 2024, afro 4 milionë sirianë janë kthyer vullnetarisht në shtëpitë e tyre”, tha Yahya, duke shtuar se që nga mbledhja e tetorit e Këshillit të Sigurimit, edhe 60 mijë persona të zhvendosur brenda vendit janë kthyer, dy të tretat e tyre nga kampet, së bashku me 18 mijë refugjatë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se “kthimi nuk do të thotë se nevojat humanitare kanë marrë fund”.

“Për shumë familje, kthimi shënon fillimin e një përpjekjeje të re dhe të vështirë”, tha Yahya, duke vënë në dukje se më shumë se 730 mijë persona ende jetojnë në kampe.

Ai tha se municionet e pashpërthyera po i pengojnë fermerët të kultivojnë tokat dhe komunitetet të rindërtohen. Partnerët e OKB-së kanë pastruar më shumë se 700 mijë metra katrorë tokë të kontaminuar gjatë gjysmës së parë të vitit, por “nevojitet shumë më tepër punë”.

Duke paralajmëruar për dimrin që po afron, Yahya tha se rreth 2,4 milionë persona do të kenë nevojë për ndihmë shtesë, ndërsa plani i reagimit, që synon të ndihmojë më shumë se 970 mijë persona në rrezik, “është financuar vetëm në masën 40 për qind”.

“Mesazhi im për këtë Këshill është i drejtpërdrejtë: të vazhdohet financimi humanitar, të mbështetet puna për çminimin dhe reagimi ndaj nevojave gjatë dimrit, duke investuar njëkohësisht në zgjidhje të qëndrueshme dhe rimëkëmbje”, tha ai.

Zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, Claudio Cordone, tha në të njëjtën seancë se “muajin e ardhshëm do të bëhen dy vjet nga hapja e një epoke të re në Siri”.

Cordone tha se krijimi i Asamblesë Popullore të përkohshme ka qenë “një nga momentet kyç të tranzicionit”. Ai theksoi se nevojiten përgatitjet për një kushtetutë të përhershme dhe “zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse”, si dhe “qartësi lidhur me proceset dhe afatet kohore”.

“Të gjitha këto, natyrisht, janë çështje që duhet t’i përcaktojnë vetë sirianët. Koha po kalon”, tha ai, duke shtuar se zyra e tij i ka paraqitur propozime qeverisë.

Cordone iu referua vlerësimit të Bankës Botërore, sipas të cilit vetëm rindërtimi i aseteve fizike të dëmtuara do të kushtojë 216 miliardë dollarë, duke theksuar se rimëkëmbja do të kërkojë mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare.

Ai gjithashtu tha se aktivitetet ushtarake izraelite kanë “vazhduar pa ndërprerje, në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”, përfshirë inkursionet, ngritjen e pikave të përkohshme të kontrollit, ndalimet dhe bombardimet.

“Përsëris thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm për t’i dhënë fund shkeljeve të Marrëveshjes së vitit 1974 për Shkëputjen e Forcave, respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, si dhe zgjidhjen e çështjes së sirianëve të ndaluar në Izrael”, tha ai.

Ai shtoi se kërcënimi nga organizata terroriste DEASH “mbetet serioz”, duke vënë në dukje se forcat siriane të sigurisë kanë raportuar çmontimin e celulave në Rankous, në zonën rurale të Damaskut, dhe në Halep.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume