Organet e zbatimit të ligjit krijojnë Platformën për Menaxhimin e Hetimeve Penale – përmes llogaridhënies drejt ndjekjes më të shpejtë të kriminalitetit
Drejtori i Doganave, Nikollovski: Po krijojmë një zinxhir të shpejtë dhe të pandërprerë të drejtësisë, duke dëshmuar qartë se Maqedonia është një partner i besueshëm dhe i barabartë i BE-së në luftën kundër krimit të organizuar.
Organet e zbatimit të ligjit po rrisin llogaridhënien për efikasitetin në ndjekjen penale të kriminalitetit.
Me një grant nga BE-ja, Drejtoria e Doganave, së bashku me Prokurorinë Publike, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtorinë e Inteligjencës Financiare dhe Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar, po krijojnë një Sistem Digjital për Menaxhimin e Regjistrave të Zbatimit të Ligjit (LERMS), përmes të cilit pritet të forcohet lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, duke prodhuar rezultate të matshme.
Sot, drejtori Boban Nikollovski, së bashku me Prokurorin Publik të Shtetit, Nenad Saveski, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe drejtorët e institucioneve të tjera për zbatimin e ligjit, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi, duke vendosur kështu bazat për funksionimin e këtij sistemi.
Në ceremoninë solemne ishte e pranishme edhe Roberta Кorteze, udhëheqëse e Sektorit për Sundimin e Ligjit, Çështjet Ekonomike dhe Bashkëpunimin Ndërkufitar në Delegacionin e BE-së.
„Me këtë hap po krijojmë një zinxhir të shpejtë dhe të pandërprerë të drejtësisë, duke dëshmuar qartë se Maqedonia është një partner i besueshëm dhe i barabartë i BE-së në luftën kundër krimit të organizuar. Përmes llogaridhënies maksimale sistemore, hetimeve të shpejta dhe marrjes së fuqisë financiare të kriminalitetit, ne nuk mbrojmë vetëm ekonominë dhe popullin tonë, por edhe Bashkimin Evropian, dhe kjo duhet të vlerësohet në nivelin më të lartë“, deklaroi drejtori Nikollovski, si dhe shtoi se Drejtoria e Doganave gjatë këtij viti ka paraqitur 180 kallëzime penale në Prokurorinë Publike dhe Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Me paraqitjen e kallëzimeve penale pranë prokurorive kompetente, do të mbahet evidencë digjitale për hetimin, pas së cilës të gjitha institucionet do të kenë detyrimin të dorëzojnë me kohë dhe në mënyrë të saktë të dhënat statistikore për veprimet që ndërmarrin në kuadër të hetimit në mënyrë që, Drejtoria e Doganave të ketë një pasqyrë të qartë mbi shpejtësinë e veprimit në të gjitha juridiksionet.
Përmes rritjes së llogaridhënies në veprimet institucionale, pritet të rritet efikasiteti, por mbi të gjitha edhe shpejtësia e realizimit të operacioneve, si një faktor kyç për neutralizimin e kriminalitetit.


