Tabela në hyrje të parkut “Oaza e Butelit”, në Komunën e Butelit, tashmë është vendosur edhe në gjuhën shqipe, pas reagimeve të këshilltarëve të Frontit Evropian dhe VLEN-it.

Çështja u ngrit më 3 nëntor, pasi në hyrje të parkut ishte vendosur një tabelë vetëm në gjuhën maqedonase. Këshilltarët e AKI-së kërkuan që mbishkrimi të jetë dygjuhësh, ndërsa grupi i këshilltarëve të VLEN-it dorëzoi kërkesë zyrtare në komunë për vendosjen e emrit edhe në shqip.

Kërkesa e VLEN-it përfshinte edhe respektimin e dygjuhësisë në tabelat, sheshet, rrugët dhe hapësirat publike ku kjo parashihet me ligj.

Pas këtyre reagimeve, sot është vendosur një tabelë me mbishkrimin “Oaza e Butelit”, krahas emërtimit në gjuhën maqedonase, siç shihet edhe në fotografinë e publikuar. Sipas informacioneve, tabela është vendosur nga vet qytetarët dhe jo autoritet komunale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume