Xhamia e Larme në Tetovë nis rrugën drejt UNESCO-s. Hapi i parë është përfshirja në Listën Tentative, si fazë fillestare për përgatitjen e dosjes së nominimit për trashëgimi botërore.

Xhamia e Larme në Tetovë do të propozohet për përfshirje në Listën Tentative të UNESCO-s, proces që shënon hapin e parë drejt kandidimit të saj për trashëgimi botërore.

Iniciativa është ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Konservimit dhe Bashkësia Fetare Islame – Myftinia e Tetovës, ndërsa ka marrë edhe mendim pozitiv nga Këshilli Nacional për Trashëgimi Kulturore.

Për koordinimin e aktiviteteve fillestare, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ka formuar një grup pune që do të përgatisë dokumentacionin dhe do të zhvillojë aktivitetet e nevojshme për procesin e nominimit. Grupin e koordinon historiani i artit dhe konservatori i lartë Zoran Pavlov, ndërsa pjesë e tij janë edhe ekspertë të arkitekturës, konservimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Xhamia e Larme konsiderohet një nga monumentet më përfaqësuese të arkitekturës islame të shekullit XIX në Maqedoni. Ajo shquhet për pikturën unike murale, ornamentet gjeometrike e florale, peizazhet dhe ngjyrat e veçanta, ku ndërthuren ndikimet baroke dhe rokoko të Evropës me traditën arkitekturore osmane.

Kompleksi përfshin edhe një tyrbe të tipit të hapur, pranë xhamisë, e cila daton më së voni nga gjysma e parë e shekullit XVI dhe dëshmon për historinë e gjatë të këtij monumenti.

Përfshirja në Listën Tentative të UNESCO-s nuk nënkupton shpalljen e menjëhershme si trashëgimi botërore, por përbën fazën fillestare të procesit, i cili kërkon përgatitjen dhe dorëzimin e një dosjeje të plotë nominimi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume