Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenin 78-љ të Ligjit për Kulturë, si dhe Marrëveshjen Kolektive për të punësuarit në kulturë në tërësi. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 prill 2027, duke u lënë institucioneve dhe sindikatave afro pesë muaj kohë për të hartuar një model të ri ligjor për rregullimin e pagave.

Sipas vlerësimit të gjykatësve kushtetues, Ligji për Kulturë nuk përmban metodologji të qartë dhe të përcaktuar ligjërisht për llogaritjen e pagave. Kjo metodologji, sipas tyre, duhet të përcaktohet me ligj dhe më pas të konkretizohet përmes marrëveshjes kolektive.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, sqaroi se vendimi nuk do të zbatohet menjëherë, për shkak të pasojave që mund të shkaktonte shfuqizimi i menjëhershëm i dispozitave.

Ministria e Kulturës dhe sindikatat tashmë kanë një afat për të negociuar një marrëveshje të re, ndërsa Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Duke komentuar protestën e punonjësve të kulturës para Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski tha se e kupton pakënaqësinë e tyre, por theksoi se institucioni nuk merr vendime për të qenë i pëlqyeshëm për dikë.

„Detyra jonë nuk është të marrim vendime që janë të popullarizuara apo të pëlqyeshme për dikë, por të ruajmë sistemin kushtetues dhe gjendjen e kushtetutshmërisë, edhe kur pasojat e vendimeve tona janë, së paku, të dhimbshme“, deklaroi ai.

Gjyqtarja raportuese, Tatjana Vasiq-Boxhadeva, theksoi se ligji duhet të përcaktojë metodologjinë e llogaritjes së pagave, me shkallë të qarta të kompleksitetit të vendeve të punës dhe koeficientë përkatës.

Procedura në Gjykatën Kushtetuese ishte iniciuar më 8 prill të këtij viti. Marrëveshja Kolektive për të punësuarit në kulturë është në fuqi që nga viti 2020.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume