Izraeli vijon të përballet me një ngërç politik pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, ndërsa Gadi Eisenkot, rivali kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve për formimin e qeverisë së re, raporton The Guardian.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka njoftuar se do të vendosë të dielën, më 8 nëntor, se cilit prej dy kandidatëve do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë.
Nga 120 deputetët e parlamentit izraelit, të njohur si Knesset, 67 kanë mbështetur Eisenkot, ndërsa 46 janë shprehur në favor të Netanyahut. Megjithatë, Herzog ka theksuar se mbështetja numerike nuk garanton formimin e një koalicioni qeverisës, për shkak të kundërshtimeve mes partive politike.
“Rezultatet e konsultimeve mund të duken të qarta, por kundërshtimet e ndërsjella mes blloqeve dhe brenda tyre e bëjnë të vështirë përcaktimin se cili kantidat ka mundësinë më të madhe për të formuar qeverinë”, deklaroi presidenti.
Zgjedhjet e 27 tetorit nuk prodhuan një shumicë të qartë parlamentare. Koalicioni i Netanyahut humbi shumicën, duke zbritur nga 68 në 53 vende, ndërsa blloku i partive të udhëhequra nga Eisenkot siguroi 48 mandate.
Në këtë situatë, partitë që përfaqësojnë qytetarët palestinezë të Izraelit, të cilat fituan gjithsej 19 vende në parlament, kanë marrë një rol vendimtar në negociatat për formimin e qeverisë.
Të dyja partitë me shumicë arabe kanë shprehur mbështetjen për Eisenkot, megjithëse mes tyre ekzistojnë dallime lidhur me pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme.
Partia Ra’am ka deklaruar se është e gatshme t’i bashkohet një qeverie të drejtuar nga Eisenkot, ndërsa Lista e Përbashkët ka sinjalizuar se mund ta mbështesë atë nga jashtë koalicionit.
Ndërkohë, Netanyahu vazhdon të ushtrojë detyrën e kryeministrit, deri në formimin e një koalicioni të ri ose zhvillimin e zgjedhjeve të tjera.
Kryeministri izraelit ka ngritur akuza për manipulim të votave, duke vënë në dyshim rezultatet zgjedhore. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Izrael ka deklaruar se integriteti i procesit zgjedhor nuk është cenuar.
Presidenti Herzog pritet të zhvillojë konsultime të tjera me drejtuesit e partive politike përpara vendimit të së dielës, me synimin për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.