Platforma e rrjeteve sociale X ka pezulluar llogarinë e fushatës së shkrimtarit palestinezo-amerikan Ahmed Moor, disa ditë pasi ai njoftoi kandidimin në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike kundër senatorit amerikan John Fetterman, në zgjedhjet e vitit 2028 në Pensilvani, transmeton Anadolu.

MARKETING

Moor njoftoi për pezullimin të mërkurën përmes llogarisë së tij personale në X, duke publikuar një pamje të njoftimit të shfaqur në llogarinë e fushatës së tij, @moorforpa.

“Miq! Tashmë është zyrtare! Ne përbëjmë kërcënim! Ata e kanë pezulluar llogarinë e fushatës. Na ndihmoni të ruajmë vrullin duke shpërndarë postimin dhe ju lutemi, merrni në konsideratë të kontribuoni financiarisht”, shkroi ai.

Në njoftimin për pezullimin thuhej se X “pezullon llogaritë që shkelin rregullat e saj”, por nuk specifikohej se cili rregull dyshohej se ishte shkelur dhe as nuk jepej ndonjë shpjegim për vendimin.

Sipas njoftimit të mediave, llogaria e fushatës kishte grumbulluar më shumë se 33 mijë ndjekës brenda rreth tri ditësh nga hapja e saj.

Fushata e Moorit reagoi për pezullimin përmes një postimi në platformën Bluesky, ku thuhej: “Epo, tashmë është zyrtare, Elon Musk nuk është mbështetës i fushatës sonë! Llogaria jonë e fushatës është pezulluar”.

Moor njoftoi kandidimin për Senat të hënën, duke u pozicionuar si sfidues i Fettermanit, një demokrat që është përballur me kritika nga qarqet progresiste për mbështetjen e tij të fuqishme ndaj Izraelit.

“Po kandidoj për t’i dhënë fund luftës në Iran dhe për të promovuar agjendën e dinjitetit: kujdes shëndetësor falas, kujdes falas për fëmijët dhe banesa të përballueshme”, tha Moor në njoftimin e kandidimit.

“Bëj thirrje për përgjegjësi për gjenocidin, për ICE-n dhe korrupsionin. Dhe, së fundi, për mbrojtjen e lirive tona civile në Amerikë”, tha ai.

Moor, i cili ka lindur në Gaza dhe jeton në Filadelfia, ka kritikuar mbështetjen e SHBA-së për Izraelin dhe ka bërë thirrje që shpenzimet publike t’u japin përparësi nevojave të brendshme të vendit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume