Vendimet e Gjykatës Supreme kanë autoritetin më të lartë në sistemin gjyqësor dhe të gjithë, veçanërisht profesionistët juridikë, kanë detyrim t’i respektojnë. Këtë e thekson kryeprokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, në intervistën ekskluzive për emisionin “Klik Plus” në TV21, e cila do të transmetohet sonte në orën 21:30.

I pyetur për vendimet e Gjykatës Supreme në rastet “Durmo Turs” dhe spitalit modular në Tetovë, me të cilat ishin shfuqizuar vendimet e mëparshme gjyqësore, Saveski refuzoi të japë vlerësim për to, duke theksuar se një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me standardet e tij profesionale.

Pyetja u parashtrua edhe në kontekstin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, efikasitetit dhe profesionalizmit të tij, veçanërisht në rastet kur lëndët gjyqësore kthehen sërish për vendimmarrje.

“Gjykata Supreme, si në çdo shoqëri, ashtu edhe në shoqërinë tonë, ka autoritet absolut dhe të gjithë duhet t’i respektojmë vendimet e Gjykatës Supreme. Sidomos ne, profesionistët”, deklaroi Saveski.

Ai theksoi se, në cilësinë e kryeprokurorit publik të shtetit, i pranon konstatimet e gjykatës më të lartë dhe nuk konsideron se është e përshtatshme që publikisht t’i kritikojë apo komentojë vendimet e saj.

“Nuk do t’i lejoja kurrë vetes dhe do të dilja jashtë kufijve të standardeve të mia profesionale, nëse do të merrja të drejtën të kritikoj apo komentoj vendimet e Gjykatës Supreme”, theksoi Saveski.

Me këtë qëndrim, kryeprokurori publik i shtetit nënvizoi se respektimi i vendimeve gjyqësore është pjesë e përgjegjësisë profesionale të bartësve të funksioneve në sistemin e drejtësisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume