Para përfundimit të stinorit vjeshtor në Superligën e të rinjve, ndeshjet e planifikuara të Shkëndijës U16 dhe Shkëndijës U17 kundër Arsimit janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe reshjeve të dendura të borës, të cilat e kanë bërë të pamundur zhvillimin e takimeve informon Tetovasot.
Trajneri i Shkëndijës U16, Ismail Ismaili, theksoi se vendimi ishte i domosdoshëm për sigurinë e futbollistëve.
“Shëndeti dhe siguria e lojtarëve janë mbi gjithçka. Do të kishim dashur ta mbyllnim gjysmësezonin në fushë, por kushtet nuk e lejuan. Jam krenar për atë që kanë treguar djemtë gjatë gjithë kampionatit. Kanë punuar me përkushtim dhe kanë dëshmuar cilësi të mëdha.”
Edhe trajneri i Shkëndijës U17, Taxhedin Kasami – Taki, vlerësoi paraqitjet e skuadrës së tij gjatë gjithë stinorit.
“Ky ka qenë një gjysmësezon shumë i suksesshëm për ne. Lojtarët kanë treguar karakter, disiplinë dhe futboll cilësor. Edhe pse ndeshja e fundit u anulua, kjo nuk e zbeh aspak punën dhe sukseset që kemi arritur deri tani. Tani fokusi ynë është të përgatitemi edhe më mirë për vazhdimin e kampionatit.”
Me anulimin e këtyre ndeshjeve, Shkëndija i jep fund gjysmësezonit me një bilanc shumë pozitiv në Superligën e të rinjve. Të tre gjeneratat kuqezi kanë zhvilluar një kampionat fantastik, duke konfirmuar edhe një herë cilësinë e akademisë dhe punën e shkëlqyer të trajnerëve në zhvillimin e talenteve të rinj. Kjo periudhë përfaqëson një bazë të fortë për objektivat që klubi do të ndjekë në pjesën pranverore të sezonit.TS