Skandali në Bruksel/ Marta Kos përpiqet të ‘lajë duart’, Haxhiu: Presim sqarime nga Komisioni Evropian
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur shqetësues interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ka thënë se presin sqarime nga Kosmisioni Evropia.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, shkruan Haxhiu në reagimin e saj.
Ajo ka theksuar se një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, thekson Haxhiu.
Kurse Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila udhëheq Forumin, është përpjekur të shfajësohet duke thënë se fajin e kanë muzikantët për përzgjedhjen e melodisë.
Në Forumin e Zgjerimit nuk është ftuar sërish Kosova.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, në prag të këtij Forumi është luajtur edhe melodia e një kënge nacionaliste ku serbët tregojnë se si nuk do e japin Kosovën.
Teksti i kësaj kënge është shkruar në vitin 1989, kur Millosheviçi kishte nisur politikën e tij serbomadhe.
Kujtojmë se në këtë forum është i pranishëm edhe Edi Rama.