Një takim i papritur mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-kryeministrit Naftali Bennett ka shkaktuar tensione në kampin opozitar në Izrael. Dy politikanët zhvilluan një bisedë prej rreth dy orësh e gjysmë në zyrën e Netanyahut në Knesset, e cila u cilësua zyrtarisht si një informim mbi çështjet e sigurisë.

Sipas mediave të huaja, takimi u mbajt pa dijeninë paraprake të Gadi Eisenkot, me të cilin Bennett bashkëpunon në bllokun opozitar, duke nxitur shqetësime për një përçarje të mundshme mes forcave që synojnë largimin e Netanyahut nga pushteti. Biseda mes dy rivalëve politikë merr rëndësi edhe për faktin se ata nuk ishin takuar prej rreth pesë vitesh e gjysmë.

Megjithatë, bashkëpunëtorët e Bennett kanë mohuar mundësinë që ai të bëhet pjesë e një qeverie të drejtuar nga Netanyahu, duke theksuar se synimi i tij mbetet krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar me Gadi Eisenkot në krye. Në takimin e zhvilluar në Knesset ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë të sigurisë izraelite.

Ndërkohë, takimi ka shtuar dyshimet dhe pakënaqësitë në radhët e opozitës, veçanërisht pas përplasjes publike që Netanyahu dhe Bennett patën vetëm pak ditë më parë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume