Ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë dhe 14 vendeve të tjera përshëndetën sanksionet e vendosura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Australia për shkak të aktiviteteve të paligjshme të vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë masat që synojnë kompanitë e përfshira në ndërtimin e vendbanimeve, transmeton Anadolu.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Algjerisë, Indonezisë, Palestinës, Katarit, Kuvajtit, Libisë, Maldiveve, Egjiptit, Nigerit, Pakistanit, Somalisë, Arabisë Saudite dhe Jordanisë lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën mirëpritën këto masa.

Ata mirëpritën gjithashtu vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të vendosur sanksione ndaj një organizate të akuzuar për pengimin e dërgesave të ndihmave humanitare në Gaza.

Ministrat shprehën mbështetjen për përpjekjet që synojnë sigurimin e llogaridhënies përmes masave dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj individëve dhe subjekteve përgjegjëse për aktivitetet e vendbanimeve, përfshirë planin e vendbanimit E1, si dhe ndaj atyre që mbështesin, lehtësojnë ose zbatojnë politikat e zgjerimit të vendbanimeve dhe aneksimit.

Ata dënuan ashpër vazhdimin e politikave izraelite të vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht planin e vendbanimit E1 dhe aktivitetet përkatëse në lindje të Kudsit Lindor të pushtuar.

Ministrat shprehën shpresën se sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë do t’i nxisin anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar të miratojnë masa të ngjashme.

Sipas deklaratës, sanksionet janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së, përfshirë Rezolutën 2334 (2016) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministrat iu referuan gjithashtu opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 19 korrikut të vitit 2024, i cili përcakton detyrimet e shteteve për të mos e njohur si të ligjshme situatën që rezulton nga pushtimi i paligjshëm izraelit dhe për të mos ofruar ndihmë apo mbështetje për ruajtjen e saj.

Ata përsëritën thirrjet drejtuar Izraelit që të shfuqizojë të gjitha masat që lidhen me aktivitetet e vendbanimeve dhe praktikat e tjera që synojnë ndryshimin e karakterit gjeografik dhe demografik të territoreve të pushtuara palestineze.

Ministrat gjithashtu dënuan përshkallëzimin ushtarak të Izraelit në Gaza dhe bënë thirrje për zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të Planit Gjithëpërfshirës të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Plani synon vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit, trajtimin e situatës humanitare, lehtësimin e përpjekjeve për rindërtim dhe rimëkëmbje, si dhe krijimin e kushteve për një paqe të qëndrueshme.

Duke rikonfirmuar se Gaza është pjesë përbërëse e territoreve të pushtuara palestineze, ministrat theksuan se e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt një paqeje të drejtë, afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse është zgjidhja me dy shtete.

Ata theksuan se kjo zgjidhje duhet të përfshijë krijimin e një shteti të pavarur, sovran, me vazhdimësi territoriale dhe të qëndrueshëm palestinez, bazuar në kufijtë e 4 qershorit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume