Turqia dhe Katari kanë nënshkruar pesë marrëveshje, përfshirë një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë, gjatë takimit të 12-të të Komitetit të Lartë Strategjik Turqi-Katar në Stamboll.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Zyrën Presidenciale Dolmabahçe, në praninë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, pas bisedimeve dypalëshe dhe atyre në nivel delegacionesh.

Erdogan dhe Sheikh Tamim nënshkruan marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjellë.

Ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Katarit, Sheikh Faisal bin Thani bin Faisal Al Thani, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, mbikëqyrjes së tregut dhe inspektimit.

Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e arsimit u nënshkrua nga ministri turk i Arsimit, Yusuf Tekin dhe ministri i Shtetit i Katarit, Mohammed bin Abdulaziz Al-Khulaifi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan dhe kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e paqes, pajtimit dhe zgjidhjes së konflikteve.

Dy ministrat nënshkruan gjithashtu një deklaratë të përbashkët me rastin e mbajtjes së takimit të 12-të të komitetit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume