Përfaqësuesit e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC) të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë takuar me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF).

Takimi është mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të dëshmohen si një kornizë e qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim.

“Përmes JIC-së, KFOR-i dhe Forcat e Armatosura të Serbisë mbajnë marrëdhënie të bazuara në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, duke mundësuar komunikim transparent dhe në kohë për çështjet që lidhen me ‘Vijën Kufitare Administrative (ABL)’ dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA)”, thuhet në njoftim.

Me termin “Vija Kufitare Administrative”, KFOR-i i referohet kufirit Kosovë-Serbi.

KFOR-i po ashtu theksoi se mbetet plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij në mënyrë të paanshme, të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Takimet ndërmjet KFOR-it dhe ushtrisë së Serbisë
KFOR-i mban takime të rregullta me ushtrinë e Serbisë, por kryesisht vizitat kryhen në Beograd nga komandanti i KFOR-it.

Më 14 nëntor, Kosova Ime kishte raportuar për vizitën e dytë të komandantit të KFOR-it në Beograd brenda një muaji, ku ishte takuar me shefin e ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq.

Një vizitë e gjeneralit serb Lubisha Dikoviq në Prishtinë, më 1 gusht 2014, kishte shkaktuar reagime të fuqishme në Kosovë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume