“Temperaturat e ndryshueshme gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në ambulancat e Spitalit të Tetovës. Mjekët thonë se kjo rritje lidhet kryesisht me virozat sezonale, të cilat janë më të shpeshta gjatë stinës së vjeshtës”.

Sipas mjekut Bekim Ismaili, më të rrezikuar nga virozat sezonale janë fëmijët, për shkak të imunitetit më të dobët, si dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

Sipas tij temperaturat e larta, kollitja, lodhja, janë disa nga simptomat që paraqiten tek personat e sëmurë.

“Me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit, ndryshon edhe patologjia e pacientëve që vijnë dhe kërkojnë ndihmë në ambulancat tona. Ata që ankohen më shumë janë të vegjlit, të cilët kanë imunitet më të dobët, si dhe tësëmurët me sëmundje kronike. Si zakonisht, në këtë periudhë kemi rritje të fluksit të pacientëve që kërkojnë ndihmë për shkak të simptomave të virozave sezonale apo gripit.” – tha mjeku, Bekim Ismaili.

Krahas kujdesit ndaj simptomave të gripit, mjekët apelojnë për respektimin e masave parandaluese, veçanërisht shmangien e ambienteve të mbyllura dhe mos dërgimin e fëmijëve të sëmurë në shkolla e çerdhe.

Ndërkohë, ata theksojnë se është rritur edhe interesimi për vaksinimin kundër gripit sezonal.

“Duhet të kenë kujdes personat e sëmurë dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të mbyllura me njerëz të tjerë. Prindërit duhet të kenë kujdes që fëmijët me simptoma të mos shkojnë në shkollë apo çerdhe. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe çajrave të ngrohtë. Vërehet edhe rritje e interesimit për vaksinën kundër gripit sezonal. Personat që vuajnë nga sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë rekomandohet ta marrin vaksinën.” – deklaroi mjeku, Bekim Ismaili.

Mjekët apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes ndaj shëndetit, të mos neglizhojnë simptomat dhe të vaksinohen për të parandaluar komplikimet nga gripi sezonal./tvm2

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume