Punonjësit e Ministrisë së Kulturës, Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë së Filmit janë mbledhur sot në një protestë para Ministrisë së Financave, duke shprehur pakënaqësi për të ardhurat e tyre mujore.

Kryetari i Organizatës sindikale në Ministrinë e Kulturës Branko Kostovski, tha se pagat e pothuajse 70 për qind të të punësuarve në këto tri institucione janë nën pagën mesatare në vend, ndërsa diferenca me pagat e të punësuar në pozita të njëjta në institucionet nga lëmia e kulturës është 10 mijë denarë.

Ai shtoi se organizata sindikale në varësi të Ministrisë së Kulturës tashmë ka përgatitur draft tekstin e kontratës kolektive, e cila parasheh rritje objektive dhe korrekte të pagave të punëtorëve, për të cilën Ministria e Financave ka dhënë opinion negativ vitin e kaluar. Por, pas vetëm pak ditësh, siç përmendi ai, Ligji për Buxhetin vendosi rritje të pagave prej 30 për qind për punonjësit e Ministrisë së Financave.

“E mirëpresim rritjen e pagave të kolegëve tanë nga Ministria e Financave, por njëkohësisht kërkojmë nga Ministri i Financave, Qeveria dhe Kryeministri që të mos lejojnë trajtim të pabarabartë të punonjësve të organeve shtetërore. Ne inkurajojmë kolegët tanë në ministritë e tjera që të na bashkohen dhe të luftojmë së bashku për atë që na takon. Kemi përkrahje nga menaxhmenti, nga personat përgjegjës në Ministrinë e Kulturës dhe do të vazhdojmë të kërkojmë rritje të pagave përmes rrugës institucionale”, tha Kostovski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume