Vendimin e sotshëm të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar dështim të radhës për kapje të shtetit.

Në reagim thuhet se Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës, se ligji në fjalë në pjesën materiale të tij është kundër kushtetues dhe se rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë. Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e partisë.

Tutje, LDK thotë se shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa, gjithmonë do jetë në mbrojtje të Republikës sonë dhe rendit tonë kushtetues; një fushë që ky pushtet duket se nuk e kupton”, thuhet në fund.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume