Shkruan: Sadije Aliti

Shoqata e shkrimtarëve “Oeneum” mirëpriti në Tetovë, Skender Sherifin një figurë nderi të kulturës shqiptare, njërin prej shkrimtarëve më të njohur bashkëkohorë, pas një ftese speciale të bërë koh më parë. Njëherit u organizua një portet letrar dhe orë poetike kushtuar shkrimtarit nga diaspora Skender Sherifi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.
Në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe Rektori Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili theksoi se, krijuesit, albanologët, përkthyesit, mbeten ambasadorët më të mirë të përfaqësimit të vlerave kulturore duke ndërtuar me punën dhe veprën e tyre ura komunikimi midis popujve, si pasuri e çmuar për njerëzimin, pavarësisht kufijve gjuhësorë, politikë dhe kufizimeve të tjera. “Përmes poetëve dhe shkrimtarëve tanë, panorama e letërsisë shqipe, përpos në hapësirat shqiptare, admirohet edhe më gjerë, aq më tepër që nevoja për përfaqësim në një botë që po rend dukshëm drejt globalizmit, intensifikohet dukshëm dhe na fton të vërejmë se vet letërsia dhe kultura fitojnë konotacione të reja, veçanërisht për vendet me konteste kulturore, sociale, politike, etj.”-theksoi mes tjerash rektori i UT-së.
Dr. Salajdin Salihu, profesori i Fakultetit Filologjik, paraqiti biografinë e shkrimtarit të mirënjohur Skender Sherifi. “Zotëri Sherifi ka një jetëshkrim shumë atraktiv dhe një krijimtari mahnitëse e të thellë. Skender Sherifi si poet e kam njohur në librat “Lojë dhe Kundërlojë” dhe “Oksigjeni” që i botoi Rilindja e Prishtinës. Ishin libra me ndjeshmëri dhe diskurs poetik më ndryshe nga librat e tjera që botoheshin në Kosovë, Shqipëri, por edhe në hapësirën e Evropës Juglindore. Për autorin e dija se jetonte dhe krijonte në Belgjikë, se ishte autorë librash me poezi në frëngjisht dhe shqip, që ishin botuar në Bruksel e Paris, e më vonë u botuan në Prishtinë e Tiranë. Më vonë, unë mësova që ai ishte i lindur në Kosovë me origjinë nga Tropoja, se i ati i tij oficer i mbretit Zog ishte i burgosur politik nga regjimi komunist, se e ëma e tij ishte shqiptare nga Vuthaj në Mal të Zi. Familja e tij emigroi në Bruksel me statusin e refugjatit politik kur ai ishte 1 vjeçar. Se diplomoi në gjuhë dhe letërsi frënge, se punoi në radio dhe realizoi intervista me personalitete të njohura evropiane të filmit, teatrit, pikturës dhe muzikës; se, pas vitit 1992 punoi si profesor i marrëdhënieve me publikun në shkencat e komunikimit në Universitetin “International” në Bruksel dhe profesor i gjuhës frënge dhe i edukatës civile në shkollat e mesme të Belgjikës frankofone”, tha mes tjerash profesori i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Në çastin e dekorimit të njërit një prej figurave më emblematike të letërsisë shqiptare, Skender Sherifi, me një pllakatë nga Shoqata e shkrimtarëve “Oeneum”, Kryetari Daim Iljazi në fjalimin e rastit mes tjerash theksoi:”Hera e parë është që  vjen në Tetovën bujare e kreshnike, hera e parë që viziton Maqedoninë e Veriut. Ne shqiptarët  si duket jemi mësuar tu bëjmë homazhe, nderime  figurave markante ose personave emblematik kombëtarë  pas vdekjes së tyre. Por te ti ndodhi e kundërta.Të përkujtojmë sa je gjallë e shëndosh, të  kam shok, mik të vjetër  që nga koha kur isha në Ambasadën tonë  në Bruksel. Shpesh takoheshim, te  ajo kafiteria afër Bazilikut, pinim kafe, lexonim  poezi. Më pyesje shpesh si është Tetova, kurrë se kam parë, si duket UT, studentët a kanë kushte të mira  për studim aty, dhe ja pas  disa dekadave u plotësu dëshira, ta shohësh me sytë e tu Tetovën bujare e të përvujtur, të bëjmë promovimin e veprës  tënde letrare në UT. Ti nuk je patriot lokal. Ishe  dje dhe je  sot   Ambasadori  më i madh i kombit që na ke afirmuar kulturën, traditën, kombin në mënyrë dinjitoze në qarqet elitate evropjane”.
Gjatë qëndrimit të tij në Tetovë shkrimtarit Skender Sherif u mirëprit edhe në Universitetin e Evropës Juglindore nga rektori dr.Abdylmenaf Bexheti, i cili shtroi edhe një drekë rasti.
Kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Bilall Kasami priti në vizitë rasti poetin e njohur shqiptar me famë botërore Skënder Sherifin, të ciliti dhuroi një pllakatë me simbolet nga qyteti i Tetovës. Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë që zhvillojnë karrierën e tyre jashtë atdheut. Kryetari Kasami ka vlerësuar kontributin e poetit Sherifi në botën letrare, duke transpetuar në veprat e tij kulturën dhe veprat shqiptare.
Është nder dhe kënaqësi e veçantë për Tetovën dhe tetovarët që e patën të pranishëm emër si shkrimtari ynë i nderuar që kanë spikatur edhe në arenën ndërkombëtare, duke e lartësuar emrin e kombit tonë përpara kombeve të qytetëruara.

" "