E kemi thënë që në fillim, nuk jemi konsultuar për iniciativën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç ‘Ballkani i hapur’, nuk e kemi pranuar asnjëherë, nuk i kemi pasur të njohura qëllimet e tij, as rezultatet potenciale në të ardhmen, rrjedhimisht edhe kemi qenë kundër.

Asnjë iniciativë e çfarëdollojshme regjionale, politike apo ekonomike, në të cilën është Serbia dhe nuk është Kosova, nuk mundet të sjellë asgjë të mirë për regjionin.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, ashtu siç e futën në ketë aventurë BDI-në dhe Ali Ahmetin, tani duhet të përgjigjen para qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, por në veçanti para shqiptarëve e sidomos elektoratit të BDI-së se cili ishte motivi i tyre për ta përkrahur me aq pasion këtë iniciativë të presidentit serb, çfarë synonte kjo iniciativë dhe çfarë u arrit me të.

Përshëndesim tërheqjen nga kjo nismë të kryeministrit Rama duke potencuar që BDI dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po mbeten aleati i fundit i Aleksandar Vuçiçit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume