Ngjarje tragjike në spitalin e Manastirit! Një 21-vjeçare lindi foshnje të vdekur, Ministria nxiti kontrolle

Një rast tragjik ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Spitalin e Manastirit.
Një 21-vjeçare ka lindur një fëmijë të vdekur, shkaku i komplikimeve të shtatzënisë.
Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, kjo është shtatzënia e katër dhe se edhe ajo e treta ka përfunduar me epilog të njëjtë – lindje me foshnje të vdekur.
Sqarimi i Ministrisë në formë të integruar:
Ministri Mexhiti ka iniciuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme në SK Manastir
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiti, në lidhje me rastin e foshnjës së vdekur në SK Manastir, ka iniciuar ISHSSH-në që të bëjë një inspektim të jashtëzakonshëm në repartin e gjinekologjisë dhe obstetrikës në Spitalin Klinik. Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin se sipas letrës informative të SK Manastir që ka mbërritur në Ministrinë e Shëndetësisë, shtatzënia e pacientes 21-vjeçare është ndjekur në Gjermani deri në muajin e 7-të. Ajo nuk ka dhënë informacion në SK Manastir nëse është ndjekur nga mjek në Gjermani dhe nuk ka dorëzuar dokumentacion që do të vërtetonte se shtatzënia ishte e kontrolluar.
Për herë të parë nëna në lindje thirri gjinekologun familjar në javën e 29-të me insistimin e familjarëve të saj dhe herën e dytë në javën e 36-të tek një gjinekolog privat familjar. Ajo është referuar në Spitalin klinik të Manastirit për shkak të lëngjeve të tepërta amniotike gjatë shtatzënisë (polihidramnios – gjendje që tregon për komplikime në fetus). Ditën e djeshme pacientes i është bërë prerja cezariane, fetusi ka lindur i vdekur pa rrahje zemre. Kjo është shtatzënia e katërt e nënës dhe me të njëjtin rezultat ka përfunduar edhe shtatzënia e tretë.
Gruaja në lindje aktualisht është duke u trajtuar në Spitalin Klinik SHPSH Manastir, është në gjendje përgjithësisht të mirë dhe thotë se nuk ka ankesa për lindjen dhe trajtimin mjekësor.