Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në 5 vjetorin e vdekjes.
Haradinaj tha se secili vit i jetës së bacës Adem, ishte frymëzim për brezat e sakrificës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në 5-vjetorin e kalimit në përjetësi, kujtojmë sot veprimtarin e dalluar të çështjes kombëtare, kolosin shqiptar, Adem Demaçi.
Secili vit i jetës së bacës Adem, ishte frymëzim për brezat e sakrificës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk u ndal asnjëherë së angazhuari për realizimin e idealeve për të cilat kishte kaluar tri dekada në burgjet famëkeqe serbe”, ka shkruar Haradinaj.
I pari i AAK-së ka shtuar tutje se “Baca Adem do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike si njeriu i hekurt që nuk e mposhtën as torturat më mizore të regjimit serb. Mirënjohës përjetë rrugëtimit të tij jetësor në shërbim të atdheut”.