Vizita e Kurtit, Analistët: “Trojka” Kasami, Gashi, Mexhiti – vështirë të krijojë pozicione më të mira!

Profesori universitar Etem Aziri, vizitën e kryeministrit të Kosovës – Albin Kurti në Shkup dhe Tetovës e ka cilësuar si një vizitë private, të cilën opozita shqiptare dëshiron ta shfrytëzojë për kalkulime elektorale dhe rezultat më të mira në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por shton ai, si ata ashtu edhe qeveria duhet të ndjekin më shumë zhvillimet e brendshme sesa të kërkojnë ndihmë nga jashtë.
“Opozita kërkon të ketë shanset më të mira të mundshme në zgjedhjet e ardhshme dhe në një farë mënyre, jo se keqpërdor personazhet publike të Kosovës dhe Shqipërisë, por thjesht kërkon të mbledhë pikë politike nga çdo situatë. Dyshoj shumë se zoti Albin Kurti vendos për njërin apo tjetrin opsion, më e rëndësishmja është se opozita shqiptare në Maqedoni duhet të jetë konstruktive. Pra çdo gjë që bazohet në ndihmën nga jashtë, nuk ka rëndësi nga cili shtet, opozita e ka të vështirë të krijojë pozicione më të mira për vete në të ardhmen”, deklaroi për Tv Telma – Etem Aziri, profesor universitar, përcjell PRESSonline.al
Gazetari Destan Jonuzi nga ana tjetër e analizon vizitën e kryeministrit në Kosovë në tre aspekte:
– Një vizitë që i shërbeu bllokut opozitar – Lëvizjes BESA, Alternativa dhe partisë së sapoformuar të Izet Mexhitit – për promovim.
– Strategjia e Kurtit për të bindur elektoratin e tij se ai është një politikan i respektuar përtej kufijve të Kosovës, i cili ka ndikim edhe në zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në mesin e partive të shqiptarëve.
– Të tregojë se ka beteja politike me Ali Ahmetin dhe Edi Ramën, në mënyrë që elektorati i tij të krijojë përshtypjen se rivalët e tij opozitarë në Kosovë nuk janë shumë të rëndësishëm për të, deklaroi gazetari Destan Jonuzi për TV Telma, përcjell PRESSonline.al
Nga kabineti i kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – Dimitar Kovaçevski, njoftojnë se: “Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është një vizitë private, dhe për detajet e ftesës, protokollit dhe organizimit të ngjarjes të kontaktohen organizatorët”.