Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka reaguar për vizitën e kryeministrit, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut.

Petkoviq ka thënë se Kurti ka udhëtuar në Maqedoninë e Veriut për të nxitur strukturat më ekstreme politike të shqiptarëve në atë vend dhe për të promovuar projektin fashist të Shqipërisë së Madhe.

“Duke e shpallur veten si mentor politik dhe ideologjik i atyre që do të destabilizonin dhe ndanin Maqedoninë e Veriut, Kurti e shtriu misionin e tij luftarak nga Kosova në territoret përreth, të cilat ai i konsideron si pjesë përbërëse të projektit të tij të çmendur të shtetndërtimit të Shqipërisë së Madhe.” – deklaroi Petkoviq, raporton Kosova Online.

Petkoviq ka thënë se Serbia është miku më konsekuent dhe më i sinqertë i Maqedonisë së Veriut në rajon.

“Dhe është e kuptueshme që nga Tetova, e cila në të kaluarën e afërt ishte në qendër të terrorizmit dhe separatizmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kurti sulmon Beogradin, sepse Serbia është miku më konsekuent dhe më i sinqertë i Maqedonisë së Veriut në rajon.” – ka shtuar Petkoviq./Nacionale