Pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët marrin pjesë në operacionet humanitare në Slloveni për sanimin e dëmeve nga vërshimet katastrofike, së bashku me pjesëtarët e Ushtrisë sllovene ndërtuan urë të përkohshme në Komunën Mezhica në pjesën veriore të vendit, i cili sot është lëshuar në përdorim.

Në hapje të urës në këtë komunë në rajonin e Korushkës, mori pjesë ministri slloven i Mbrojtjes, Marjan Sharec.

“Ushtria sllovene paradokohe u qas drejt ndërtimit të kësaj ure të përkohshme. Falënderim për inxhinierët. Ura sot qëndron. Me të vërtetë kemi pasur nevojë, ai është i rëndësishëm për popullatën lokale dhe për ekonominë. Na vjen mirë që është rregulluar kaq shpejtë”, tha ministri Sharec.

Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë sllovene, gjeneral-nënkoloneli Robert Glavash, në përurimin e urës theksoi se ura është ndërtuar së bashku me ushtarët e ARM-së.

“Ushtria sllovene bashkëpunon që në fillim për të larguar pasojat e përmbytjeve. Ndihmon ku të mundemi. Mendoj se ndihma është e madhe. Këtë urë e ndërtuam së bashku me pjesëtarët e Armatës maqedonase për katër-pesë ditë”, tha gjeneral-koloneli Glavash.

Në Slloveni ndodhen 100 pjesëtarë të ARM-së, të cilët po ndihmojnë në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm javën e parë të këtij muaji. Ndihma është kërkuar nga Sllovenia përmes mekanizmit NATO EADRCC.

Pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, konform vendimit qeveritar, do të qëndrojnë në Slloveni 30 ditë, ku janë të përfshirë në operacion humanitar për sanimin e dëmeve nga moti i keq në rajonet e përmbytura.

Në përmbytjet më të këqija që e ka përfshirë Slloveninë nga pavarësia e saj në vitin 1991, kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa është shkaktuar dëm që vlerësohet në disa miliardë euro.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume