Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se numri i serbëve që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në veri, ka shkuar në shtatë.

Një ditë më parë është raportuar për tre të tillë.

Në një konferencë për media, pas vizitës në qytetin e Klinës, Osmani ka thënë se fajtori për këto dorëheqje është në Beograd.

“Ka tashmë informata të konfirmuara, sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve që, rrezikimi i këtyre pjesëtarëve, frikësimi, shantazhimi, vijnë drejtpërdrejt nga Serbia. Burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta ilegale dhe kriminale në Kosovë t’iu bëjë presion qytetarëve serbë, të cilët janë pro-integrimit, të cilët janë pro-bashkëpunimit, dhe të cilët janë pro-shfrytëzimit të të drejtave që ua ofron atyre edhe kushtetuta, por edhe Marrëveshjet e Brukselit”.