Për ndryshimet në Kodin Penal qeveria nuk kërkoi garanci nga opozita, ndërsa ligji i ri për amnisti do t’u prezantohet deputetëve vetëm nëse VMRO-DPMNE garanton se ata do të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

Ligji i ri për amnisti do të jetë i dyti nga pakoja që qeveria ia “ofron” opozitës VMRO-DPMNE për të votuar për amendamentet kushtetuese, mëson PRESSonline.al nga burime qeveritare.
Mirëpo, ndryshe nga ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat ulen në mënyrë drastike dënimet për shpërdorim detyre, për të cilat qeveria nuk kërkoi garanci, ligji i ri për amnisti do t’u paraqitet deputetëve vetëm nëse VMRO-DPMNE-ja garanton se ata do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Sipas informacioneve, qeveria do të përfshijë në ligjin e ri për amnisti të dënuarit për krim zgjedhor dhe bashkim kriminal nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese.

Siç bëhet e ditur VMRO-DPMNE-ja ka kërkuar që në ligjin e ri për amnisti të përfshihen të dënuarit për ngjarjet e “27 Prill” dhe të akuzuarit për krime zgjedhore, përkatësisht që dënimi i tyre të ulet për 30 për qind. Kjo do të thotë se nëse dikush është I dënuar me gjashtë vjet burg, do të duhet të vuajë rreth katër vjet pasi ligji të hyjë në fuqi.

Ligji i ri për amnistinë me gjasë do t’u shkojë deputetëve, në vend të Ministrisë së Drejtësisë, sepse ministri Krenar Lloga është kundër që ai të jetë propozues i ligjit. Nga ana tjetër lihet hapësirë që grupet parlamentare të arrijnë një marrëveshje dhe të jenë ata propozues të zgjidhjes ligjore. Sipas informacioneve jozyrtare ka mundësi që propozimi javën e ardhshme t’u dërgohet deputetëve.(PRESSonline.al)

Mgid