Falënderim për mbështetjen e përgjithshme nga UN Women për aktivitetet e Kabinetit për politika të qeverisjes së mirë, veçanërisht në lidhje me politikat kundër korrupsionit dhe forcimin e rolit të gruas në luftën kundër dukurive negative në shoqëri, shprehu zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska në takimin e sotëm me Elisa Fernandez Saenz, zëvendësdrejtoreshë rajonale e UN Women për Evropë dhe Azinë Qendrore, ku mori pjesë edhe udhëheqësja e zyrës së kësaj organizate në vend, Vesna Ivanoviq Kastared.

Gërkovska theksoi se është e rëndësishme që politikat që krijohen të jenë afatgjate dhe të qëndrueshme, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen rezultate të dukshme dhe efikase.

“Zëvendëskryeministrja theksoi kontributin e madh të Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut në themelimin e Forumit të Grave Lidere nga EJL për qeverisje të mirë dhe antikorrupsion, si nismë rajonale për rrjetëzimin e grave dhe të rinjve nga rajoni, shkëmbim të përvojave dhe mbështetjes reciproke në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri më të mirë për të gjithë, duke inkorporuar parimet e barazisë, integritetit dhe përgjegjësisë”, informojnë nga Kabineti i zëvendëskryeministres për Politika të Qeverisjes së mirë.

Saenz e përshëndeti nismën e zëvendëskryeministres Gërkovska, duke theksuar se është shumë ide e mirë të formohet rrjeti i grave me qëndrime të ngjashme, përkatësisht të ndërtohet masë kritike e lidershipit të grave që çon përpara. Të dy bashkëbisedueset u dakorduan ta thellojnë bashkëpunimin rreth kësaj nisme dhe ta lidhin me rrjete të ngjashme në botë, me qëllim që të forcohet dhe t’i jepet shikueshmëri dhe vëllim më i madh gjithë procesit.

“Ato ranë dakord se është e rëndësishme të krijohen politika dhe rregullore ligjore në drejtim të përparimit të pozitës së grave në të gjitha fushat e shoqërisë, por që gjithashtu është e rëndësishme të krijohen mekanizma efikas që do ta ndjekin implementimin e politikave të miratuara”, thonë nga Kabineti i zëvendëskryeministres.

Gërkovska dhe Saenz e hapën edhe çështjen e korrupsionit në sport nga aspekti gjinor dhe u pajtuan rreth bashkëpunimit të mëtejshëm në tema ndërsektoriale ku lidhen barazia gjinore, të rinjtë dhe korrupsioni, sepse, siç u theksua në takim, gratë dhe të rinjtë janë bartës të ndryshimeve dhe zhvillimit shoqëror.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume