Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës deklaroi se lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka kërkuar koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas saj, këtë e ka kërkuar me arsyen me SHBA-të janë pajtuar se lidhur me këtë çështje do të respektohet çdo normë e Kushtetutës së Kosovës.

“Kam kërkuar që të rritet roli i SHBA-ve duke kuptuar që procesi formal kryhet në Bashkim Evropian, kryhet në Bruksel, ajo çfarë kam kërkuar unë është që të shtohet edhe një hap, hapi i koordinimit të plotë të çdo veprimi, të çdo shkronje me SHBA-të sepse me ata kemi pajtim të plotë se si do të duket, e ajo është respektimi i çdo norme, çdo shkronje dhe frymës së Kushtetutës sonë”, tha Osmani në një intervistë ekskluzive në “Tempus”.
Tutje, Osmani tha se një dakordim të tillë nuk e kanë me BE-në.

“Arsyeja pse unë e shoh rolin e Shteteve të Bashkuara kyç në këtë proces, është për shkak se me SHBA-të kemi dakordim të plotë për katër parimet: Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2015-ës, Letra e Mogherinit dhe Op/Ed-i amerikan nga Escobar. Me BE-në akoma nuk kemi një dakordim të tillë, po flas për ndërmjetësit”, tha Osmani.

Presidentja e përmendi edhe takimin e 2 majit në Bruksel, ku kishte potencuar se ka pritur që Kosova ta ketë draftin e saj e jo të lejojë drafte nga ekipet menaxhuese serbe që sipas saj janë draft i Presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Më 2 maj, kur ishte takimi në Bruksel pata bërë deklaratë publike që kam pritur që Kosova ta ketë draftin e saj e jo të lejojë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues serb, që në fakt është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e diskutimeve sepse kjo automatikisht pastaj na vendos në pozitë të pavolitshme”, tha Osmani.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume