Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, shefen e kabinetit Valmisa Novi dhe udhëheqësin e Zyrës për Përpilim dhe Menaxhim me projekte, Mr. Sc. Artan Osmani, morën pjesë në bienalen vjeshtore të Aleancës universitare AURORA, që u mbajt në Olomouc të Republikës së Çekisë, në 17 dhe 18 tetor.
Rektori i UT-së, në këtë veprimtari arsimore ndërkombëtare nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi multilaterale me të gjithë universitetet anëtarë të kësaj aleance prestigjioze, me fokus të veçantë në shfrytëzimin e infrastrukturës së përbashkët kërkimore-shkencore të rrjetit AURORA.
Universiteti i Tetovës, si pjesë e pandarë e kësaj aleance, ka qenë jo vetëm pjesëmarrës në aktivitetet e saj, por edhe organizator e nikoqir i trajnimeve dhe projekteve të ndryshme që prej anëtarësimit të tij në vitin 2020. Gjatë mbledhjeve me grupet e veçanta të punës u bë raportimi i veprimtarive të deritanishme, si dhe u diskutua plani aksional që do të vihet në zbatim gjatë fazës së shtatëvjeçarit të ardhshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume