Merret në pyetje eksperti për rastin “Llaskarca”, gjykimi vazhdon më 7 nëntor
Në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në lidhje me aksidentin me autobus në afërsi të Llaskarcës, ku humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 u lënduan, sot u mor në pyetje eksperti Lupço Postollov, pjesë e ekipit që e përgatiti superekspertizën e komunikacionit.
Në seancën e sotme, avokati Lupço Micevski, mbrojtës i të akuzuarit të gjashtë – shoferit të autobusit, parashtroi disa pyetje në lidhje me deklaratat e disa dëshmitarëve, deklaratat e të cilëve, sipas tij, nuk përputhen me të konstatimet e ekspertizës.
Këto pyetje gjykata i hodhi poshtë për arsye se ekspertët treguan se të gjitha deklaratat e dëshmitarëve i kanë marrë parsysh, por gjurmët materiale për trajektoren e lëvizjes së autobusit kanë qenë prioritet.
“Gjykata do t’i vlerësojë të gjitha deklaratat e dhëna në seancën kryesore, të gjithë 36 udhëtarët, të dëmtuarit, 11 dëshmitarët okularë dhe të gjithë përfaqësuesit ligjorë”, theksoi gjykatësja Diana Gruevska Ilievska.
Krahas Postollovit, në ekipin e ekspertëve, të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit janë edhe ekspertët Jakup Mamuti dhe Nevzat Zeqiri. Hetimi i superekspertëve të komunikacionit filloi në maj të këtij viti.
Superekspertiza që Gjykata i ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga fakultetet në shtet, me sqarim se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën paraprake ose nuk janë kompetentë për të njëjtën. Pasi fakultetet refuzuan, lënda u dërgua në Byronë për Ekspertizë Gjyqësore, ku ka mundësi të formojë ekip prej ekspertëve të licencuar, të cilët do të bëjnë superekspertizën.
Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcës, që ka ndodhur më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”, personi përgjegjës për transportin në kompaninë, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.
Procesin gjyqësor për aksidentin që filloi në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.