Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot e filluan seancën për konfirmimin e listës së kandidatëve të paraqitur pas Vendimit për shpalljen e zgjedhjes së anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Janë paraqitur kandidatët Beat Dauti, jurist i diplomuar, Abdush Demiri, ekonomist, Robert Trajkovski dhe Zulfi Adili.
Kryetarja e Komisionit, Marija Georgjievska tha se kandidatët Abdush Demiri dhe Robert Trajkovski nuk i plotësojnë kushtet për shkak të dokumentacinit jo të plotë.
Për kandidatin e opozitës shqiptare – Lidhja evropiane për ndryshim, Abdush Demiri, kryetarja e Komisionit tha se ai ka qenë në funksionin sekretar i përgjithshëm i partisë.
Në këtë ashpër reaguan deputetët e Lidhjes evropiane për ndryshim.
“Këtë që e bëni është absurde dhe nuk do t’ju kalojë, pse luani lojëra të tilla?! Nuk do t’ju kalojë, nuk e kam të qartë pse luani me ligjin, me zgjedhjet. Pse luani me lojërat e BDI-së, luani me komisionin shtetëror të zgjedhjeve, kemi zgjedhje, a jeni pyetur se çfarë porosie dërgoni?! Unë personalisht u konsultova me të gjithë para se t’i parashtrojmë dokumentet, ndërsa pas konsultimit, dokumentet janë dërguar në arkiv, nuk di si mund të luani aq ulët”, tha deputeti i BESA-s, Fadil Zendeli.
Kryetarja e Komisionit, duke e treguar biografinë e parashtruar, tha se kandidati vet ka potencuar se në momentin e përgatitjes së biografisë, ai ushtron funksion.
Zendeli në këtë reagoi se dorëheqja e kandidait u dorëzua dhe arkivuar që para publikimit të shpalljes.