Duke iu referuar ofertës në elektoratin shqiptar për zgjedhjet presidenciale, analisti politik Gazmend Ajdini i ftuar në një emision të “Sloboden Peçat” theksoi se ka një dallim të madh mes Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit, informon PRESSonline.al

“Ka një dallim të madh mes dy kandidatëve si në drejtim të kandidaturës ashtu edhe në pozitë, bëhet fjalë për një kryetar partie, Taravarin që mbështetet nga disa drejtues të tjerë partiakë, gjë që i jep atij një dimension klasik politik. Por me kandidatin tjetër, Osmanin, personalisht shoh më shumë zgjedhje të një kandidati që i plotëson kushtet për një pozitë të tillë, për sa i përket përvojës dhe formimit, përvojës në kryerjen e funksioneve dhe gjërave që kanë të bëjnë me kompetencat kushtetuese të presidentit të shtetit”, tha Ajdini, përcjell PRESSonline.al

Ai tha se Osmani ka treguar një kapacitet të caktuar si burrështeti duke kryer funksione të rëndësishme shtetërore dhe ndërkombëtare në vitet e kaluara.

Ajdini ka kujtuar funksionet që ka pasur Osmani në karrierën e tij politike dhe shtetërore.

“Osmani ka qenë zëvendëskryeministër i ngarkuar me çështjet evropiane, diçka që është në domenin e marrëdhënieve ndërkombëtare, po flasim për ministrin aktual të Punëve të Jashtme dhe po flasim për një njeri që sipas të gjithë treguesve ka kryer me sukses funksionin e kryesuesit të OSBE-së dhe ky ishte një kontribut i mirë për ngritjen e reputacionit të shtetit në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Dallimi në cilësi për kryerjen e funksioneve mes dy kandidatëve është i dukshëm. Te Taravari po flasim për një ministër të shëndetësisë, po flasim për një kryetar komune që nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në pozita më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare”, tha Ajdini, përcjell PRESSonline.al

Gazmend Ajdini nuk beson se partitë e shqiptarëve do të bojkotojnë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të shkaktuar krizë politike, por ka më shumë gjasa që t’i lënë votuesit të vendosin vetë nëse dhe për cilin nga kandidatët maqedonas do të votonin.

Sipas tij, shtizat do të thyhen më së shumti nëse ideja për zgjedhjen e presidentit në Kuvend do të mbetet vetëm si parakusht për të ardhmen, apo kusht kryesor do të mbetet ndryshimi i kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në Preambullë.

Do të jetë një tregues, thotë Ajdini, se cili do t’i përmbahet më së shumti rrugës evropiane të Maqedonisë.